Bizneset që aplikuan por nuk depozituan bilancet, afat deri më 10 tetor

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit shtyu deri më 10 tetor afatin për dorëzimin e bilanceve financiare për bizneset që aplikuan por nuk kanë mundur të plotësojnë dhe dërgojnë në mënyrën e duhur.

“Subjektet të cilët kanë aplikuar online për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar, nëpërmjet portalit e-Albania deri në datën 03.08.2020 dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), si dhe i është komunikuar me e-mail nga sistemi për mos vlefshmërinë e pasqyrave financiare në momentin që është tentuar të bëhet dorëzimi brenda datës së përcaktuar nga ligji, por për shkak të fluksit të madh të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të tyre kanë afat deri më datë 10.10.2020”, thuhet në njoftimin e QKB-së.

Sipas QKB-së, për periudhën 6 janar – 3 gusht 2020, u depozituan online nëpërmjet portalit e-Albania 19 127 bilance nga biznese me administratorë shqiptar. Po ashtu, bëhet e ditur se u aprovuan 17 592 bilance dhe u refuzuan 1535 bilance, kryesisht për parregullsi dokumentacioni.

Sipas QKB-së, numri i bilanceve te depozituara nëpërmjet portalit e-Albania, shënon një tjetër sukses të aplikimeve online. Detyrimin për të depozituar online bilancet financiare e kishin gjithsej 20 mijë biznese në të gjithë vendin./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.