Arsimi në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës/ Shpërndahen falas 20 mijë libra me mbështetjen financiare të Shqipërisë e Kosovës

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Me mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, Këshilli Kombëtar Shqiptar sot ka filluar shpërndarjen falas të teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili informoi se “do të shpërndahen rreth 20 mijë libra dhe do të përfitojnë 4 mijë nxënës shqiptarë”.

Cakaj theksoi se “kjo mbështetje do të kontribuojë në forcimin e arsimit në gjuhën shqipe e në rritjen e cilësisë së edukimit në Luginën e Preshevës”.

“Përderisa mbetet ende shumë për t’u bërë, ne do të vazhdojmë me masa tjera për ta mbështetur pakursyer Luginën”, tha ai.

Ndërkohë, edhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini u shpreh e lumtur që Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka nisur shpërndarjen e librave shqip falas nga Shqipëria për rreth 4 mijë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, një kontribut ky i rëndësishëm i qeverisë shqiptare nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Kjo ditë e shumëpritur për të gjithë, le të jetë një ogur i mirë i punëve të dobishme që çojnë në rritjen e arsimit cilësor në gjuhën shqipe”, u shpreh ajo.

 

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.