“Marrëveshja Kosovë-Serbi, tema të procesit të Berlinit”/ Refuzimi absurd për të ecur në atë drejtim ka sjellë vetëm humbje kohe

TIRANË, 7 shtator/ ATSH/ “Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës patjetër që ishte një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve, patjetër që ishte tejet e rëndësishme që në funksion të këtij momenti u bë dhe njohja e Kosovës nga Izraeli. Po përtej faktit që kjo marrëveshje u bë në Shtëpinë e Bardhë dhe përtej faktit që Izraeli njohu Kosovën, marrëveshja nuk ka asgjë të re”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së hapjes të sesionit të ri të Kuvendit, duke prekur marrëveshjen Kosovë-Serbi nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Të gjitha temat e asaj marrëveshje janë tema të Procesit të Berlinit, janë tema të stërdiskutuara në çdo raund të Procesit të Berlinit. Këtë e them për një arsye shumë të thjeshtë, për të kuptuar se sa shumë kohë kemi humbur ne si shqiptarë në raport me çfarë faktikisht sjell marrëveshja”, theksoi Kryeministri Rama.

Rama nënvizoi se “marrëveshja sjell thjesht një konfirmim të çka ka qenë aty për vite dhe se refuzimi absurd për të ecur në atë drejtim ka sjellë vetëm humbje kohe”.

“Një humbje kohe që besoj nëse dikush do të ulej të kalkulonte dëmet ka dëme të pallogaritshme. Humbja e kohës nga patriotizmi fars dhe nga një luftë imagjinare me një fqinj që ishte dje armik, sot është një fqinj me të cilin shqiptarët kanë llogari të hapura për të adresuar, por që llogaritë e hapura nuk mund t’i adresosh në kushtet e paqes duke bërë sikur je në luftë”, u shpreh ai.

“Të bësh sikur je në luftë dhe të mos komunikosh për të adresuar llogaritë e hapura të cilat qëndrojnë aty me vite e vite thjesht si municion për të mbushur pushkët imagjinare është thjesht dhe vetëm të sakatosh popullin tënd, të sakatosh të ardhmen e vendit tënd. Të mos e pranosh sofistikimin që sjell paqja, të një marrëdhënieje që në luftë është bardh e zi, në paqe nuk është bardh e zi do të thotë të jesh ose i paaftë për të drejtuar, ose cinik në raport me popullin tënd”, u shpreh Rama.

“Ajo që mbetet mbresëlënëse është se qorrshurdhëria e atyre që i kanë sytë i kanë veshët, e kanë mendjen dhe që qëllimisht nuk duan të shohin, nuk duan të dëgjojnë është diçka e cila ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë Shqipërinë dhe Kosovën”, përfundoi Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.