Listat e hapura 100% vetëm nëse garantojnë ekuilibrin gjinor/ Nuk ka më kohë për të humbur për zbatimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij të parë me nisjen e sesionit të ri të Kuvendit u shpreh se hapja e listave dhe përcaktimi i mekanizmit të koalicioneve parazgjedhore në Kodin Zgjedhor janë dy pikat kyçe që duhet të bëhen sa më shpejt.

“Me Kodin Zgjedhor nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojmë intensivisht me të gjitha fuqitë dhe ekspertët në dispozicion për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkërisht”, – u shpreh Rama.

“Nga njëra ana për mekanizmin e listave të hapura ku na duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur me një konsensus të plotë edhe me opozitën jashtë parlamentit, por nga ana tjetër detyrimisht një orë e më parë nuk mund të jetë një proces i tejzgjatur në emër të konsensusit 100 %. Do të kërkojmë një konsensus 100 % për një proces të shpejtë për të vendosur në Kodin Zgjedhor mekanizmin e koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor”, – u shpreh Rama.

“Këto janë pikat kyçe që duhen adresuar. Ne kemi problemin e garantimit të ekuilibrit gjinor me hapjen e listave. Nëse kemi një mekanizëm të besueshëm për ne nuk ka problem hapja 100%, nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm mos prisni nga ne të hapim listat 100% që nuk garantojnë ekuilibrin ligjor. Listat e hapura që e kthejnë Kuvendin pas për të gjetur një grua mes 50 burrave, nuk çojnë asgjëkundi”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.