Meta dekreton 25 prillin 2021 si datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare

TIRANË, 6 shtator/ATSH-A.Fortuzi/ Presidenti i Republikës Ilir Meta ka caktuar datën 25 prill 2021 si datën e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme. Pas takimeve konsultative të zhvilluar gjatë ditës së premte, Presidenti Meta ka dekretuar sot datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 25 prill 2021.

Partitë opozitare kërkuan 18 prillin, teksa Kryeministri Edi Rama kërkoi që zgjedhjet të mos mbahen më 2 maj, pasi janë dhe pashkët ortodokse.

Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve vendore në bazë të nenit 65 të Kushtetutës, së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Dekreti i Presidentit:

PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN

Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,

D e k r e t o j:

Neni 1

Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.