BJELLORUSI – Protestë gjigante për të kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos

MINSK, 6 shtator /ATSH-DPA/ – Një numër shumë i madh demonstruesish pritet të mblidhen sot në Bjellorusi për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksander Lukashenko, gati një muaj pas zgjedhjeve tepër të diskutueshme.

Opozita ka bërë thirrje që protestuesit të mblidhen pasdite në Sheshin e Pavarësisë, në manifestimin e ashtuquajtur “Marshi për bashkimin”, me demonstrata të ngjashme të planifikuara gjithashtu në qytete të tjera bjelloruse.

Demonstratat e së dielës së kaluar kanë tërhequr qindra mijëra njerëz, megjithë ndalimin e organizimeve të tilla.

Protestuesit bëjnë thirrje jo vetëm për dorëheqjen e Lukashenkos, por edhe për lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të reja dhe ndjekjen penale të trupave policore për dhunën e ushtruar.

Lukashenko deri tani ka shmangur çdo dialog me opozitën. Ai pretendon se ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.