Ndihma juridike falas/ 880 qytetarë kanë përfituar në periudhën janar-gusht

TIRANË, 5 shtator /ATSH – I. Vata/- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se ndihma juridike falas përbën fokus maksimal për qytetarin.

Ajo mori pjesë në një takim me juristët e Qendrave të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore për të diskutuar mbi mënyrat e sensibilizimit të qytetarëve dhe nxitjen e tyre për të marrë shërbimin ligjor falas pranë qendrave tona.

“Tashmë me qendrat funksionale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Dibër, Shkodër si dhe 3 qendrat e reja që do të hapim deri në fund të muajit, do të bëjmë të mundur rritjen e numrit të qytetarëve që do të përfitojnë nga ndihma juridike falas”, tha ministrja Gjonaj.

Gjonaj shtoi se “rritja e cilësisë së ofrimit të shërbimit në qendrat në rrethe sipas nevojave të qytetarëve do të bëjë të mundur më shumë akses në sistemin e drejtësisë si një ndër prioritetet tona”.

“Një komponent shumë i rëndësishëm për ne janë organizatat e shoqërisë civile me të cilët avokatët e qendrave do të bashkëpunojnë për të rritur jo vetëm numrin e qytetarëve që përfitojnë por njëkohësisht edhe ekspertizën në secilën fushë që është e nevojshëm për shërbimin. Analiza e shifrave të deritanishme të një shërbimi të ri është mjaft e mirë, por proaktiviteti i qëendrave vendore të ngritura si një risi e reformës së ndihmës ligjore do të kontribuojnë në uljen e shpenzimeve të qytetarëve për t’ju drejtuar gjykatave dhe zgjidhjen e problemeve të tyre ligjore, por njëkohësisht edhe përfitimin e një shërbimi cilësor ligjor”, tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj shtoi se “tashmë me një buxhet të dedikuar për ndihmën ligjore falas kanë filluar edhe rastet e para të përfitimit të ndihmës ligjore dytësore me përfaqësimin në gjykatë si dhe përjashtimin nga shpenzimet gjyqësore duke sjellë një lehtësim të faturave financiare të shtresave në pamundësi financiare apo shtresave në nevojë”.

“Shifrat e ardhura nga qendrat e ndihmës ligjore tregojnë se për periudhën janar-gusht 2020 kanë përfituar 880 qytetarë. Në katër javët e ardhshme do të hapen qendrat në Lushnje, Pogradec dhe Gjirokastër, ndërsa po vlerësohet edhe hapja e qendrave në 3 qytete të tjera, proces ky që do të përfundojë brenda vitit”, tha Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.