Skema Kombëtare për mbështetjen në Bujqësi financon fermën me 1 mijë krerë në Çajup të Zagorisë

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Në fushën e bukur të Çajupit në Zagori, Gjirokastër ndodhet një nga fermat më të mëdha blegtorale në vend me mbi 1 mijë krerë dele e dhi.

Kryeministri Rama ka publikuar rastin e fermerit i cili është është subvencionuar këtë vit përmes Skemës Kombëtare. Rama theksoi se në total janë rreth 5 mijë fermerë në të gjithë vendin që kanë përfituar këtë vit subvencionin për tufën bazë.

“Skema e mbështetjes për blegtorinë do të shtrihet edhe përgjatë 3 viteve të ardhshme në mënyrë që të ringrihet ky sektor i rëndësishëm për ekonominë tonë’’, tha Rama.

Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi thotë së Pëllumbi është një nga fermerët e mbështetur me 12 milionë lekë të vjetra.

‘‘Pëllumbi është një nga 5 mijë fermerët që kanë fituar nga skema kombëtare, subvencion sivjet dhe Pëllumbi është përfitues i 12 milionë lekë të vjetra. Është një nga ata fermerë që nga viti në vit e ka shtuar tufën duke ndikuar edhe në prodhimin e qumështit, edhe në prodhimin e mishit duke shfrytëzuar një nga kullotat më të mira jo vetëm jugut të Shqipërisë, por edhe të gjithë Shqipërisë. Ky është qëllimi ynë, të ndihmojmë fermerë si Pëllumbi që të rriten vit pas viti, në mënyrë që të ketë një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të blegtorisë, që për hir të së vërtetës ka pasur vështirësitë e veta, për nga natyra është një nga sektorët më të vështirë”, tha Çuçi.

“Ne e fokusuam ndihmën e buxhetit ndaj Skemës Kombëtare rreth 60-70% e çuam në ndihmë të blegtorisë, për t’i dhënë një dorë blegtorisë dhe për të krijuar momentin e duhur të ngritjes së këtij sektori. Jam i bindur që të gjithë fermerët që kanë përfituar do të përfitojnë sepse në vazhdim në këtë skemë në 3 vite, të gjithë këta fermerë besoj do të kenë mundësi e do të rriten kështu si Pëllumbi, në mënyrë që blegtoria shqiptare të shkojë në nivelet e larta që ka qenë dhe të demonstrojmë edhe në tregjet ndërkombëtare që produktet blegtorale shqiptare janë produktet më të mira që mund të ketë tregu, ashtu siç në fakt shijojmë kur vijmë në vende si fusha e Çajupit’’, thotë Çuçi. z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.