Rindërtimi/ Tullë pas tulle e mur pas muri, po ngrihen shtëpitë në Shijak e Kavajë

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ “Tullë pas tulle e mur pas muri, po ngrihen shtëpitë e familjeve të prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit të shkuar në Shijak e në Kavajë”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama ndau një album me foto nga kantieret e ndërtimit në Shijak e Kavajë, të cilat janë ndër bashkitë që u prekën më rëndë nga tërmeti.

Bashkia e Shijakut është një nga 4 bashkitë, ndër 11 të tilla, që përfiton në mënyrë të konsiderueshme nga Rindërtimi. Në Shijak po ndërtohen gati 600 shtëpi individuale dhe 400 apartamente, krahas 6 shkollave të reja.

Ndërsa në Kavajë, janë rreth 7 pallate me 6 kate që do të mundësojnë strehimin e rreth 300 banorëve.

Projekti i detajuar vendor për këtë bllok banesash parashikon edhe ndërtimin e shkollës profesionale, si dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të banesave.

E gjithë zona e kantierit të ndërtimit është 3.5 hektarë. Në Kavajë do të ngrihen edhe 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.