Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, një sukses me rëndësi historike

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar sot nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një sukses me rëndësi historike. Marrëveshja ekonomike është fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt marrëveshjes politike dhe njohjes së ndërsjelltë përfundimtare midis të dy vendeve. Kjo marrëveshje është një garanci më shumë për zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Mirënjohje Presidentit Donald Trump për lidershipin vizionar dhe efektiv si edhe ekipit negociator të Shtëpisë së Bardhë për persidencën dhe eficencën”, shprehet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.