“Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”/ Rama përshkruan Procesin e Rindërtimit me fjalët e Nënë Terezës

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ “Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”. Kryeministri Rama ka zgjedhur kështu fjalët e Nënë Terezës për të përshkruar përpjekjen e qeverisë shqiptare që synon të kthejë në shtëpi më të forta shqiptarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Teksa foli nga Kryeministria, gjatë çeljes së ekspozitës me tri letra origjinale dorëshkrime të Nënë Terezës, Rama u ndal në procesin e rindërtimit, që siç tha ai, është një proces që u shërben asaj kategorie njerëzish për të cilët fliste edhe Nënë Tereza, ata që jetojnë në një anonimat dhe që keqpërdoren shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen.

Po për këtë proces, Rama rikujtoi fjalët e Shën Terezës: “Ndiz një qiri para se të mallkosh errësirën”.

“Dua të kthehem pikërisht te ky thelb në funksion të asaj që sipas meje është një nga burimet më të mrekullueshme të frymëzimit për këdo që e ndjen nevojën për të lënë një gjurmë në rrugën e jetës së tij, në fjalët e saj kuptimplota: Në vend se të mallkosh errësirën më mirë ndiz një qiri. Dhe faktikisht është një fjalë që më jehon shpesh dhe sidoemos në momentet kur duket sikur të ndezësh një qiri, domethënë të bësh diçka, është pak në krahasim me shumëçka që duhet bërë, por në fakt është hap pas hapi, që shkohet drejt shumëçkaje dhe është e vetmja gjë me vend që mund të bësh në vend se të merresh me errësirën që pengon çuarjen përpara të atyre shkëndijave të dritës që pastaj krijojnë më shumë vend për dritën”, – tha Rama.

“I tillë është dhe procesi rindërtimit që ne po bëjmë, ku çdo ditë po vendosim tulla, po ngremë mure shtëpish për njerëzit e prekur nga fatkeqësia e 26 nëntorit, dhe duke i parë nga afër, duke e prekur nga afër jetën e tyre sheh që në një pjesë jo të vogël janë ajo kategori njerëzish të cilëve iu referohej Nënë Tereza, ajo kategori që jetojnë në një anonimat larg asaj që zhvillohet përditë para syve të të gjithë atyre që kanë më shumë mundësi se ata, ajo kategori që keqpërdoret shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, keqpërdoret për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen, sado të pamjaftueshme qofshin ato”, – shtoi Kryeministri.

Ekspozita e çelur sot në COD në vigjilje të përvjetorit të shenjtërimit të saj, përmban tre dorëshkrime, të tri letrave të cilat i drejtoheshin Ramiz Alisë, me qëllim ardhjen dhe çeljen e misionit të saj në vendin tonë, në një prej të cilave Nënë Tereza shkruan shqip, çka sipas Ramës, rrëzon edhe dyshime të shprehura nga studiues të caktuar, të kthyera në argumente banalë, lidhur me gjuhën e parë dhe amtare të Nënë Terezës, sipas të cilëve ajo nuk ka shkruar më kurrë shqip.

Kryeministri zgjodhi për të cituar edhe dy pasazhe nga letra shqip e Nënë Terezës. “Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”. “Unë ja kam dhan “besën a shqiptarit” Zotit me prue dashni and pagjë mbi gjithë botën”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.