Industria automotive/ Suksesi i kompanisë së Altinit, eksportuesit të rreth 60 mijë timonëve në vit

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë përveç ndikimit  social, sjell me vete edhe njohuri që në afatgjatë mund të kthehen në avantazh.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi vizitoi sot kompaninë “SV MEGA”, e cila prodhon kryesisht timonë dhe pjesë të tjera për industrinë automotive.

Kjo kompani operon prej më shumë se 4 vitesh në Tiranë dhe një vit më parë është zgjeruar edhe me një filial në Librazhd.

Kapaciteti prodhues dhe eksportues është rreth 60 mijë timonë në vit dhe një pjesë e tyre eksportohet në Itali dhe produktet e prodhuara më pas tregtohen në të gjithë globin.

Ministri Shalsi tha se si në gjithë bizneset e tjera, edhe tek “SV Mega” nuk ka munguar mbështetja financiare e qeverisë për punonjësit gjatë muajve të vështirë të pranverës.

“I palodhur dhe këmbëngulës, Altini ka ngritur një biznes në të cilin prodhon pjesë për makina të firmave të ndryshme. Duke më shpjeguar me detaje proceset e punës, nga rekrutimi dhe trajnimi 6-mujor i punonjësve e deri tek linja e prodhimit, përpunimit dhe rifinimit të komponentëve për autovetura dhe për mjetet lundruese, u bë e qartë arsyeja e suksesit të Altinit”, tha Shalsi.

Qeveria ka vendosur disa lehtësi fiskale për industrinë automotive përmes së cilave synon t’i japë një hov zhvillimi këtij sektori, që për ekspertët e ekonomisë vlerësohet si një instrument pozitiv që mund të rindezë motorët e ekonomisë.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.