Fatjona Memçaj përzgjidhet për pozicionin e prokurorit ndërlidhëse pranë Eurojust

TIRANË, 4 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela përzgjedh kandidaturën për pozicionin e prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust, Fatjona Memçaj, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Përzgjedhja nga Prokurori i Përgjithshëm i kandidatit bëhet në referencë të nenit 4 të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust për caktimin e prokurorit ndërlidhës si dhe të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Prokurori i Përgjithshëm ka ndjekur të gjitha hapat e nevojshëm që kulmojnë me fazën finale të këtij procesi të rëndësishëm, përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e prokurorit ndërlidhës për Shqipërinë pranë Eurojust. Nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm është iniciuar procedura e komandimit të një prokurori në pozicion e prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust dhe u shpall fillimi i procedurave për shprehje interesi. Këshilli i Lartë të Prokurorisë i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm emrat e 2 kandidatëve që plotësonin kushtet për t’u komanduar si prokuror ndërlidhës pranë Eurojust, ndërmjet kandidaturave nga radhët e prokurorëve.

Kandidati i përzgjedhur do të komandohet sipas rregullimeve ligjore të brendshme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për periudhën 2 vjet e 6 muaj.

Prokurori i Përgjithshëm vlerëson angazhimin e deritanishëm të institucioneve të përfshira në këtë proces me qëllim finalizimin me sukses të procedurave lidhur me komandimin e prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.