DPSHTRR, anëtare me të drejta të plota në Komitetin Ndërkombëtar të Inspektimit të Automjeteve Motorike

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor është pranuar anëtare me të drejta të plota në Komitetin Ndërkombëtar të Inspektimit të Automjeteve Motorike (CITA).

Kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja theksoi se për herë të parë ne njihemi nga rrjeti më i madh për verifikimin e mjetit & drejtuesit të mjetit, kontrollin e transportit rrugor dhe sigurinë rrugore.

“DPSHTRR është pranuar anëtare me të drejta të plota në CITA. Lajm i bukur për automotorizimin shqiptar. Për herë të parë besohemi, pranohemi dhe njihemi nga rrjeti më i madh për verifikimin e mjetit dhe drejtuesit të mjetit, kontrollin e transportit rrugor dhe sigurinë rrugore”, deklaroi Gonxhja.

Gonxhja tha se puna po vijon për automatizimin e verifikimit të të dhënave të mjeteve dhe rritjen e standardeve të shërbimeve të transportit.

Puna e kryer për përmirësimin e shërbimeve të transportit rrugor është vlerësuar nga CITA.

“Falë investimeve më të fundit dhe pajisjeve moderne, ata janë në gjendje të lëshojnë targa dhe leje drejtimi që përmbajnë të gjithë elementët e sigurisë në përputhje me direktivat dhe standardet evropiane, përmes sistemeve dixhitale të përparuara, brenda bazës së të dhënave qeveritare shqiptare, të integruara në rrjetet e sigurisë së lartë. Ato shërbejnë çdo vit 2.5 milion praktika/shërbime”, thuhet në njoftimin e CITA-s.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.