“Asnjë tradhti burra”/ Rama: Marrëveshja, vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin ekonomik, ka reaguar dhe Kryeministri Rama.

“Asnjë tradhti burra! Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, këmbëngulje për ç’ka duhet nesër!”, tha Rama.

“Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal, si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike”, theksoi kryeministri.

Rama vijoi duke theksuar se njohja e Kosovës nga Izraeli është frut i marrëveshjes.

“Njohja e Kosovës nga Izraeli është fruti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë!”, u shpreh kryeministri Rama.

Kosova dhe Serbia nënshkruan sot në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizimin ekonomik. Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump e konsideroi marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë historike.

z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.