Aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ antiCovid/ 1 milion lekë gjobë pronarëve të 3 lokaleve në Shkodër

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Policia e Shkodrës ka ndëshkuar me nga 1 milion lekë gjobë, pronarët e 3 lokaleve, pasi kanë ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ në kuadër të masave anti COVID.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, njoftuan të premten se, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar 3 lokale në të cilat ishin organizuar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Shërbimet e Policisë iu kanë vendosur pronarëve të subjekteve, shtetasve E. F., M. Ç. dhe N. N. masën administrative 1.000.000 lekë secilit. Policia e Shkodrës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.