Kushte optimale në shkollën e rilindur “24 Maji” në Vlorë/ Kthimi në klasa në kushtet e pandemisë, sfidë shumë e madhe për mësuesit


TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Vlorë, shkollën e rilindur “24 Maji”, ku falë një investimi model të bashkisë, me mbështetjen e qeverisë, fëmijët dhe mësuesit do të kenë kushte optimale në vitin e vështirë shkollor që po nis.

Ndërsa vlerësoi gjendjen fantastike të kësaj shkolle pas investimit, Rama ripërsëriti edhe një herë apelin për kujdes të shtuar nga stafi mësimor me qëllim zbatimin e masave kundër COVID-19.

“Kjo është një sfidë shumë e madhe që kemi ne, por që keni ju në radhë të parë, sepse jeni çdo ditë në këtë përballje. Në këtë vit shkollor na është dashur ta marrim këtë vendim shumë të vështirë. Faktikisht me sa kemi ndjekur të gjitha shtetet e kanë marrë. Është vendim shumë i vështirë, sepse edhe pse thuhet dhe faktet e thonë se fëmijët janë më pak të rrezikuar, e para nuk është e vërtetë për të gjithë fëmijët kjo, dhe e dyta, fëmijët vetë mund të jenë më pak të rrezikuar, por janë transmetues, e marrin, e sjellin në shtëpi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “pa diskutim siç ka ndodhur, do kemi prapë rritje të numrave, por nga ana tjetër, kostoja psikologjike e moshapjes së shkollave dhe mbajtjes së fëmijëve nëpër shtëpi përsëri është shumë e madhe dhe pasojat që mund të lërë kjo lloj ndarje kaq e gjatë me shkollën janë realisht shumë të mëdha”.

“Midis të dyjave ne kemi bërë këtë zgjedhje, por rolin e posaçëm e keni ju për të qenë më striktë, të duruar, se nuk bëhet me britma, rreshtore, ulërima, imponim, por duhet edhe me shpjegim. Hajde shpjegoja Zahos pse nuk duhet të takohesh me shokun, pse duhet t’i rrish larg, pse duhet të mbash maskën, të lash duart vazhdimisht. Kështu është jeta. Normalisht gjithë shpjegimi ynë është foli shokut, jepi dorën”, tha Rama.

Nga ana tjetër, ai theksoi se është shumë e rëndësishme për të punuar bashkë me prindërit, që edhe prindërit të jenë pjesë e kësaj. “Duhet futur gjithë bota e fëmijëve në një kornizë, por pa i krijuar deformime. Është e nevojshme t’i thuhet që është e përkohshme, ne do ta kalojmë këtë gjë. Është sfidë shumë e madhe ju e keni këtë barrë, por nga ana tjetër me mësuesit duhet punuar shumë, të jenë të vetëdijshëm. Nuk kanë faj të jenë të stresuar, të ngarkuar, edhe pa COVID ndonjëherë edhe shpërthejnë, por është një punë kolosale që duhet ta bëjnë dhe nuk ka kush e bën tjetër”, tha Rama.

“Ka shumë rëndësi të mos humbni ju fokusin, durimin, angazhimin, se kushedi se kur mbaron përgatitja. Ky vit shkollor ka këtë kornizë dhe nuk ikën virusi vetë. Bashkëpunoni me bashkinë në mënyrë intensive, bashkëpunimi me personelin mjekësor të jetë shumë intensiv. Mësuesi është gjithmonë edhe prind, por në këtë rast është më shumë prind se mësues”, tha Rama./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.