BM – Rifillojnë negociatat postBrexit Londër-SHBA

LONDËR, 3 shtator /ATSH-AFP/ – Negociatat tregtare postBrexit mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së do të rifillojnë më 8 shtator, njoftoi sot Londra, me një plan gjithnjë e më të ngushtë për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.

E dalë nga Bashkimi Europian më 31 janar, Britania e Madhe duhet të nënshkruajë para fundit të vitit  marrëveshje të reja tregtare me BE-në, por gjithashtu dhe me partnerë të tjerë.

Në mungesë të një marrëveshjeje do të aplikohen rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, me detyrime të larta doganore.

Duke njoftuar për parlamentarët rinisjen e bisedimeve me SHBA-në javën e ardhshme, sekretari britanik i Shtetit për Tregtinë, Greg Hands siguroi se diskutimet po zhvilloheshin me të gjithë përbërësit e sistemit politik amerikan, me afrimin e zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në nëntor.

Kongresi duhet të ratifikojë çdo marrëveshje të mundshme, kjo perspektivë e ndërlikon edhe më shumë detyrën, e penguar tashmë nga disa çështje të ndjeshme, përfshirë eksportet bujqësore amerikane.

Ministri britanik i Tregtisë, Liz Truss siguroi të enjten se pula me përmbajtje klori, e cila është bërë një simbol i frikës lidhur me arritjen e një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në, do të mbetet e përjashtuar nga tregu britanik.

Përtej SHBA-së, me të cilën shkëmbimet tregtare të Britanisë së Madhe përfaqësojnë rreth 250 milionë euro në vit, Londra po lufton për të arritur marrëveshje të tjera tregtare brenda kohës së caktuar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.