Transformim pas 60 vitesh i ujësjellësit të Kuçovës/ Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për 25 mijë banorë


TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Rreth 25 mijë banorë të Kuçovës do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në ditë, me cilësi dhe sipas standardeve të monitoruara nga sistemi bashkëkohor SCADA.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna që po bëhet për ndërtimin e këtij ujësjellësi.

“Kantieri i ujit për Kuçovën, transformon një rrjet të para 60 viteve, duke e zëvendësuar me 42 kilometra rrjet të ri që përshkon të gjithë zonën. Janë kryer 71% e punimeve dhe së shpejti 25 mijë banorët e Kuçovës do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në ditë, me cilësi dhe sipas standardeve të monituara nga sistemi bashkëkohor SCADA”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se “kantieret e ujit që sot janë ngritur anekënd Shqipërisë, adresojnë një problem madhor të lënë pa zgjidhje prej dekadash e dekadash, duke u bërë një tjetër shembull domethënës i dallimit mes nesh e atyre që e qeverisën Shqipërinë përpara nesh – natyrisht për këdo që do të shohë, dëgjojë, kuptojë”.

Investimi synon të përmbyllet në vitin 2021 duke garantuar modernizimin e sistemeve të ujësjellësit, për të vijuar fazën e tij të dytë që nis në 2021.

Ky investim për Kuçovën vjen në kuadër të Programit Infrastruktura Bashkiake, financim i Qeverisë gjermane/ KfW, Qeverisë zvicerane /SECO dhe Qeverisë shqiptare.

Impakti i këtij investimi lidhet me përmirësimin e sasisë së ujit për frymë përmirësimi i cilësisë së ujit, eliminimin e humbjeve dhe ndotjeve të ujit në rrjet, prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe abusive, lidhjen 100% me ujëmatësa si dhe rritjen e performancës së ndërmarrjes së UK, nga investimet kapitale./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.