Sigurimi i punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri/ AMF miraton kushtet standarde të kontratës

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi kushtet standarde të kontratës së sigurimit të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi.

Kontrata e sigurimit mbulon ngjarjet aksidentale gjatë kryerjes së shërbimit operacional, ku përfshihet vdekja si rezultat i aksidentit, paaftësi e përhershme ose e përkohshme si rezultat i një aksidenti ose sëmundjeje gjatë shërbimit, si edhe shërbimet spitalore dhe mjekësore në spitalet publike në vend, ose jashtë vendit në rastet kur ato nuk ofrohen.

Kontrata e sigurimit realizohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e vogël se 0.5% e shumës së siguruar. Dëmshpërblimi për personat e siguruar është në varësi të shkallës së dëmtimit apo sëmundjes dhe mund të arrijë deri në 5 milionë lekë.

Në kushtet e miratuara përfshihet edhe tabela e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, ku përcaktohen rastet për përfitimin e pagueshëm në përqindje ndaj shumës së sigurimit. Gjithashtu, në kushtet e kontratës është specifikuar procedura e dëmshpërblimit, që nga njoftimi i ngjarjes së sigurimit, trajtimi dhe pagesa e përfitimit. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.