Rimëkëmbja ekonomike/ 2/3 e vendeve të punës të humbura nga COVID tashmë janë rikuperuar

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Në vetëm dy muaj, ekonomia ka rikuperuar mbi 24 mijë vende pune, që do të thotë se 24 mijë qytetarë janë rikthyer në punë dhe çdo fund muaji çojnë pagesën në shtëpinë e tyre.

Shumica dërrmuese e vendeve të punës që u humbën gjatë periudhës mars-prill, pra në kulmin e mbylljes, tashmë janë rikuperuar plotësisht.

Sipas listëpagesave zyrtare të Tatimeve, në fund të muajit qershor, numri i të punësuarve jashtë sektorit bujqësor u rrit në 662 mijë veta nga 638 mijë veta që ishte në prill.

Kjo do të thotë se nga shifra e mëparshme e të punësuarve, mbeten ende vetëm 14 mijë qytetarë ende të papunë.

Epidemia e COVID-19, e ardhur menjëherë pas tërmetit të nëntorit 2019, natyrshëm i dha një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare.

Për shkak të mbylljes dhe rënies së konsumit, të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën mars-prill punësimi ra me 5.6% jashtë sektorit bujqësor.

E përkthyer në shifra, 38 500 persona humbën punën, ndërsa numri total i të punësuarve në vend ra nga 677 mijë në muajin shkurt, në 638 500 në fund të prillit.

Megjithatë, ndonëse epidemia e COVID vijon të jetë prezente, masat imediate të marra nga qeveria (pagat e luftës, trefishimi i ndihmës sociale, garancia për biznesin, etj), si dhe rifillimi i aktivitetit tregtar kanë sjellë një rikuperim të pjesshëm edhe për sa i përket punësimit. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.