Reforma e barnave ka kursyer në 6 vite mbi 400 milionë dollarë/ Pa këtë reformë mjekimi i COVID do të ishte 5 herë më i shtrenjtë

TIRANE, 2 shtator/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj deklaroi sot se “nëse në fuqi do të ishin çmimet e importit të medikamenteve të vitit 2013, kur në pushtet ishte qeveria Berisha, sot mjekimi kundër COVID-it do të ishte 5 herë më shtrenjtë”.

“Nesër, 3 shtator, mbushen 6 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Miratimi dhe, më tej, zbatimi i tij na dha mundësinë, ne socialistëve, të përmbushnim angazhimin tonë programor, elektoral dhe qeverisës se barnat në Shqipëri nuk do të ishin më të shtrenjtë sesa në vendin e origjinës”, tha Beqaj.

Ai tha se “qeverisja e deriatëhershme e kishte kthyer Shqipërinë në një nga vendet më qesharakë në botë”. “Shqipëria dhe Meksika ishin të vetmet vende kur barnat gjenerikë ishin më të shtrenjtë se origjinatorët përkatës”, tha ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë shtoi se “nuk ka qenë reformë e lehtë, por na ka ndihmuar shumë ekspertiza kroate që misioni i Bankës Botërore në Tiranë mundësoi”. “Ndërsa për thellësinë e reformës veç të tjerash më kanë ndihmuar jashtë mase edhe dy këshilla shumë të vlefshme. E para, nga kryeministri Tony Blair. Nëse nuk të shajnë më pati thënë, do të thotë që reforma që mendon se ke bërë është një hiç. Ma ilustroi me reformën e arsimit që qeveria e tij kishte bërë në mandatin e saj parë. E dyta, nga Ellen Goldstein, në atë kohë drejtore e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit. Ellen, me të cilën kisha njohje pune prej 1995, kur ndava me të shqetësimin se një reforme e thellë mund të sjellë largimin nga tregu shqiptar të prodhuesve më në zë botërorë farmaceutikë më siguroi se, përtej “kërcënimeve”, askush nuk do të largohej”, tha ai.

Beqaj theksoi se “zbatimi i plotë i reformës në çmimet e barnave i ka kursyer shqiptarëve çdo vit rreth 70 milionë dollarë apo në 6 vite së bashku mbi 400 milionë dollarë”.

“Kanë kaluar disa vite dhe, me të drejtë, shumë shqiptarë janë mësuar me çmimet aktuale të barnave dhe i kanë harruar çmimet e dikurshme. Se çfarë ka sjellë në të vërtetë ajo reformë po e ilustroj me koston aktuale të një mjekimi bazë të COVID-19. Një terapi bazë për trajtimin e COVID-19 përfshin pak a shumë: 8 tableta Azitromicin 500 mg; 8 tableta Levofloxacin 500 mg; 10 ampula Dexamethason 4 mg/1 ml; 30 shiringa të mbushura Fraxiparin 0,6 ml; 30 tableta Paracetamol 500 mg; 15 njësi Vitamin C 1 g; 15 njësi Vitamin D 2000 IU. I gjithë ky mjekim kushton rreth 9 600 lekë, ndërsa nëse përdoren antikoagulantë më të shtrenjtë kushton 18 500 lekë ose 17 500 lekë”, tha Beqaj.

Ai u shpreh se “nëse do të ishin ende në fuqi çmimet e importit, marzhet e tregtimit dhe TVSH 10 % mbi barnat e vitit 2013, i njëjti mjekim do të kushtonte 49 000 lekë apo 5 herë më shtrenjtë”.

“Reforma e çmimeve të barnave është për mua personalisht, një nga arritjet më të mëdha në angazhimin tim të deritanishëm njerëzor, profesional dhe politik në shërbim të njerëzve të vendit tim. Mund të jetë e tepërt, por ndjej detyrim të vlerësoj publikisht mbështetjen totale të Edi Ramës (e bëj publikisht, edhe pse ka qenë i vetmi që më ka mbështetur edhe kur i kisha të gjithë kundra, brenda e jashtë politikës) në hartimin, miratimin dhe zbatimin e kësaj reforme”, tha Beqaj./m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.