Maliq/ 500 fermerë i bashkohen projektit “Burimet natyrore në funksion të zhvillimit bujqësor”

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Në bashkinë Maliq, përfaqësues të drejtorisë së Bujqësisë dhe titullarë të programit “World Vision”, diskutuan për zbatimin e projektit për shfrytëzimin sa më mirë të burimeve natyrore në funksion të zhvillimit bujqësor në këtë zonë.
Projekti nisi zbatimin në kuadër të marrëveshjes së përbashkët që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka me World Vision dhe bashkinë Maliq, për nxitjen dhe zhvillimin e qendrueshëm të bujqësisë.
Drejtori i bujqësisë, Maliq Arben Dulellari i tha ATSH-së se “Në këtë projekt janë përfshirë  500 fermerë të zonës, të cilët tashmë bëjnë pjesë në target group, të identifikuar dhe kontaktuar nga ana e World Vision, për t’u trajtuar dhe përfitur nga ekspertizat më të mira që mundësojnë vënën në eficiencë të burime natyrore në funksion të zhvillimit bujqësor”.
Specialistët e bujqësisë, bashkia Maliq, do të mbështesin këtë projekt me trajnimin e fermerëve në 4 tema kryesore. 3 tema për bujqësinë dhe një temë për blegtorinë, tha Dunellari.
Sipas tij, resurset natyrore të zonës së Maliqit krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë, blegtorisë, turizmit rural të interesit të veçantë, turizmit të natyrës dhe agroturizmit.
“Zhvillimi i zinxhirit të vlerës së prodhimit bujqësisë mbështetur në burimet natyrore e shndërrojnë këtë sektor në burim punësimi dhe mirëqenie”, – tha Dulellari.
Prodhimi bujqësor në bashkinë Maliq, është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, krahas ecurisë së mirë që ka patur edhe shitja dhe eksporti i këtyre produkteve. Gjatë këtij viti rritje të ndjeshme ka shënuar eksporti i prodhimeve tradicionale të zonës, si molla, patatja dhe qepa, që vijojnë të jenë edhe më të kërkuarat nga tregu vendas dhe ai i huaj. /j.p/r.e/
e.xh.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.