Cilësi në furnizimin me energji dhe reduktim humbjeve në rrjet/ Investimet në fidera të rinj, në 7 vjet janë bërë më shumë se në dekada të tëra

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi investuar dhe po vijojmë të investojmë për ndërtimin e fiderave të rinj, si dhe kabinave të reja, të cilat do të garantojnë jo vetëm cilësi në furnizim, por edhe reduktimin e humbjeve të energjisë. Është absolutisht revolucion krahasuar me çfarë ishim. Faktikisht në 7 vite janë bërë më shumë se në dekada të tëra”.

Në inspektimin e ndërtimit të fiderave të rinj, si dhe kabinave të reja në Tiranë, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i OSHEE, Adrian Çela, theksoi se “vijon rritja e kapacitetit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike për Tiranën që rritet çdo vit me banorë të rinj”.

“Trashëguam një sektor të zhytur në borxhe, të cilin pasi e kthyem në shinat e ligjshmërisë po vijojmë ta modernizojmë hap pas hapi”, – tha Rama.

Duke e konsideruar këtë investim fantastik, Kryeministri Rama tha se “është absolutisht revolucion krahasuar me çfarë ishim. Faktikisht në 7 vite janë bërë më shumë se në dekada të tëra, pasi të gjitha këto janë infrastruktura të trashëguara nga vitet ’70, siç janë ato të ujit. Të gjitha kantieret e ujit janë në punë për 5 zona urbane të Shqipërisë janë kantiere që janë faktikisht për të transformuar rrjetet e furnizimit me ujë të viteve ’60 , ’70 dhe fillimviteve ’80”.

“Në të gjitha ato rrjete është bërë mirëmbajtje po asnjë investim. Ne nuk kemi pasur mundësi të investojmë më parë se kishim barrë borxhesh e gjërash që duheshin lehtësuar pak nga pak. Të mendosh që demografia ka ndryshuar rrënjësisht, që janë rritur konsumatorët në mënyrë eksponenciale e në zona urbane furnizimi me energji dhe ujë i është lënë për dekada rrjeteve të ndërtuara në atë kohë për atë lloj numri banorësh dhe atë lloj konsumi që ishte komplet tjetër. Është një gjë e paimagjinueshme”, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk ka pasur asnjë strategji për ti bërë hap pas hapi. Kur mendoj që ku do ishim sot nëse këto që ne kemi bërë hap pas hapi të ishin bërë që në krye të herës është për të vënë duart në kokë, por s’kemi ç’të bëjmë. Na mjaftojnë kusuret tona, kusuret e të tjerëve që nuk i bënë gjërat përpara le t’i mbajnë ata, ne si mbajmë dot”.

Ministrja Balluku tha se “është zonë mjaft e rëndësishme, e cila ka edhe një numër të konsiderueshëm banorësh, por edhe disa fabrika të vogla, të cilat furnizohen nga ne”.

“Këtu kemi nisur një proces prej një viti, përsa i përket  shtimit të transformatorëve të rinj dhe ndryshmit të pjesës më të rëndësishme të fiderave që kemi patur. Mos harrojmë që këtu trashëguam një rrjet të amortizuar me investime të fillimviteve ’70 dhe me punën që kemi nisur duke bërë pjesën e fundit atë që do të ndodhë në nëntor të këtij viti, duke shtuar edhe 4 fidera të reja, supozohet që këtu do të kemi komplet një investim të ri 20 kw dhe të gjitha linjat ajrore janë të zëvendësuar me fidera të rinj”.

“Kemi dhe sallën ku kontrollohet i gjithë nënstacioni. Shifrat e e investimit synojmë të arrijnë deri në fund të këtij viti deri në 13 milionë dollarë. Dua të përmend se Banka Botërore e ka mbështetur këtë investim tonin, ashtu siç ka mbështetur të gjitha investimet në energji në kuadër të paketës së rimëkëmbjes”, – tha Balluku.

Drejtori i OSHEE, Ardian Çela, tha se “ky është nënstacioni më i rëndësishëm nga 174 nënstacione që administron kompania”. “Me këtë nënstacion furnizohen 211 mijë banorë. Është ndërtuar në vitet ’60 dhe për 30 vite nuk ka pasur asnjë investim”, u shpreh ai.

“Investimi i vetëm është ai i nisur nga ne para dy vitesh që e kemi ndarë në tri faza. Kemi investuar deri tani rreth 9 milionë dollarë nga 35 fidera që ka ky nënstacion, po eliminojmë ato të viteve ’70 dhe kemi ndërtuar e rikonstruktuar 130 kabina”, – tha ai.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.