Rindërtimi/ Ahmetaj: Brenda këtij viti gati një pjesë e madhe e shtëpive për banorët

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se për rindërtimin pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë në 26 nëntorin e vitit që lamë pas qeveria ka akorduar nga buxheti i saj 34 miliardë lekë për vitin 2020, dhe 25 miliardë lekë planifikohen të shpenzohen në vitin 2021.

Gjatë një interviste në media, Ahmetaj tha se procesi i rindërtimit po ecën me hapa të kënaqshëm, ndërsa shtoi se vonesat e deritanishme lidhen kryesisht me situatën e krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19. Por ministri siguroi se procedurat shtetërore janë bërë me shumë shpejtësi.

Sipas Ahmetaj, vendi ynë ndryshe edhe nga vende shumë më të zhvilluara siç është Italia, është duke zbatuar një formulë unike dhe tërësisht sociale.

Në ato vende, tha Ahmetaj, jepet kredi, ndërsa në Shqipëri është marrë tërësisht përsipër rindërtimi.

Sa i përket donatorëve, ministri Ahmetaj bëri të ditur se të gjitha donacionet, përveç Greqisë ku do të diskutohet sot se si do të ecet me donacionet e tyre, janë në proces.
Ministri theksoi se ka avancim të dukshëm në të katër programet, atë të granteve për meremetimin e banesave, ndërtimin e shtëpive individuale, pallateve dhe shkollave.

“Besoj që brenda këtij viti do ketë një masë të madhe shtëpish të rindërtuara, çka do të bëjë që qytetarët të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre të reja të ngritura në kohë rekord. Pallatet nisin javën e fundit të shtatorit ose javën e parë të tetorit. Ne kemi hapur fondet në vlerën 160 milionë dollarë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe 140 milionë dollarë për bashkinë e Tiranës”, tha Ahmetaj.

Sa i përket shkollave, ministri theksoi se po vijon me ritme të larta dhe se puna në disa prej tyre ka shkuar deri në katin e tretë të godinës./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.