FOTOGALERI/ Nis shpërndarja e librave falas, përfitojnë mbi 250 mijë nxënës

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka bërë ditur se në prag të nisjes së vitit të ri shkollor ka nisur sot shpërndarja e librave falas për nxënësit e klasave 1-7 dhe për të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasën e 12-të.

“Sot ka filluar shpërndarja e librave falas me përfitues direkt mbi 250 mijë nxënës në të gjithë vendin: të gjithë nxënësit deri në klasën e 7-të dhe kategoritë e veçanta deri në klasë të 12-të”, shprehet Shahini.

Gjithashtu ministrja thekson se gjatë procesit të shpërndarjes së librave duhet të respektohen protokollet e sigurisë kundër COVID-19 nga çdo nxënës, mësues dhe prindër.

“Është shumë e rëndësishme që edhe gjatë ditëve në vijim gjatë shpërndarjes së librave, çdo nxënës, prind e mësues të ruajë kujdesin ndaj secilit dhe të respektojë rregullat e distancimit fizik”, thekson Shahini.

Skema mbështetëse e librave falas nga buxheti i shtetit prej 800 milionë lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.

Miratimi në Këshillin e Ministrave i propozimit i MASR për të mbuluar me libra falas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të u bë në 17 qershor të këtij viti.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.