Ritme të larta punimesh në aksin Boboshticë-Dardhë/ Impakt i drejtpërdrejtë në turizëm dhe rritjen e ekonomisë lokale

https://www.facebook.com/258258774875475/videos/230507301685656/

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se po vazhdojnë me ritme të larta punimet për riparimin e aksit rrugor nacional K/Boboshticë-Dardhë.

Sipas ARRSH-së, aktualisht puna është përqendruar për riveshjen dhe riparimin e shtresave asfaltike, si dhe ndërtimin dhe riparimin e bankinave.

Fondi për riparimin e aksit rrugor K/Boboshticë-Dardhë llogaritet rreth 1 milion dollarë që parashikon bërjen nga e para të 900 mijë metra katrorë të kësaj rruge.

Tashmë kjo rrugë përmes përmirësimit të infrastrukturës do të jetë lehtësisht e arritshme dhe do të plotësojë kështu prezantimin e ofertës turistike për vizitorët vendas e të huaj.

Fshatrat Boboshticë dhe Dardhë janë pjesë e Programit të “100 fshatrave”, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si dhe zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor.

Të njohura për ushqimet tradicionale, natyrën e pasur dhe turizmin malor këto fshatra janë atraksione të cilat do të mirëpresin në vijim akoma dhe më shumë vizitorë, me rritjen e strukturave akomoduese, gjatë dhe pas përmirësimit të infrastrukturës publike.

Në këtë kuadër Qeveria shqiptare me fokus jo vetëm në akset kombëtare, por edhe në rrugët rurale, synon të sjellë një impakt drejtpërdrejtë pozitiv, në rritjen e ekonomisë lokale. /a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.