Rindërtimi në Baldushk/ Ritme të larta për të futur në shtëpi sa më shumë familje për Vitin e Ri


TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e rindërtimit në Baldushk, Tiranë, ku po vazhdon pa pushim puna për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit.

“Po ecim me ritme të larta për të futur në shtëpi sa më shumë familje për Vitin e Ri, ndërkohë që edhe kantieret e pallateve janë në proces, diku me infrastrukturën e diku me lidhjen e kontratave për fillimin e punës. Edhe pak durim, kush u godit më keq dhe po pret të rikthehet në shtëpi, do të ketë një shtëpi më të mirë, më të bukur, më të fortë, e ne jemi këtu për të bërë atë që themi”, tha Rama.

Duke folur me banorët, Rama tha se “shtëpia do rindërtohet siç e kemi premtuar, më e madhe, më e fortë, më e bukur se ajo që ishte”.

“Ajo që ne kemi thënë që ditën e parë është se ne nuk do t’ia marrim tokën. Toka që kanë është e tyrja, do ta mbajnë dhe i vetmi person që do ta bëjë rrugën do jenë ata që do shkojnë te toka, jo të gjithë. Fëmijët, të moshuarit, gratë janë afër njëri-tjetrit, afër zonës ku ka shërbime. Pse duhet të bëjnë të gjithë rrugë, ik e eja, për arsye të tokës? Toka rri atje, zgjerohet nga gardhet, punojnë tokën atje dhe të tjerët vazhdojnë jetën poshtë”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe rastin e Italisë. “Para disa javësh, po shikoja kryetarin e bashkisë Amatrice në Itali që ishte shumë i shqetësuar, sepse akoma ka shumë familje që jo nuk e kanë shtëpinë, por nuk dinë a do ta kenë e kur do ta kenë”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sot se janë rreth 50 shtëpi që po rindërtohen aktualisht në Baldushk dhe Bërzhitë. “7 shtëpi janë në Bërzhitë dhe 43 janë këtu në Baldushk. Jemi te faza e fundit ku po bëhet veshja me polisterol edhe për eficiencën energjetike”, tha ai./m.m/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.