Cakaj, bisedë telefonike me homologun e Maqedonisë së Veriut: Thellim i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe

TIRANË, 31 gusht/ATSH-A. Fortuzi/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka uruar suksese në detyrën e tij, kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas konstituimit të qeverisë së re.

Ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj, ka njoftuar se ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Z. Osmanit i kam uruar suksese të pamatshme në mandatin e tij historik si kryediplomati i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Për më shumë, pasi ka shërbyer si zv.kryeministër dhe kryenegociator, ai merr përsipër edhe një përgjegjësi tjetër historike – udhëheqjen politike dhe diplomatike të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, – thekson Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj shpreson se me vendosjen e Osmanit do ketë një shtysë më të madhe për të vijuar më tej punën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Me Bujarin në krye të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, ne do të vazhdojmë punën për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, forcim të bashkëpunimit rajonal e rritjen të dinamikës politike për anëtarësim në BE”, – nënvizon Cakaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.