Regjimi i lëvizjes drejt Greqisë/ MEPJ: Masat në fuqi për periudhën 1-15 shtator

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot mbi regjimin e lëvizjes nga Shqipëria drejt shtetit grek për periudhën 1 – 15 shtator 2020, në kuadër të masave kundër COVID-19.

MEPJ informoi se për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë për arsye turizmi.

Po ashtu, mbetet në fuqi kufizimi i lidhjeve detare dhe ajrore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kështu, fluturimet drejt apo nga këto vende bëhen vetëm nga aeroporti “Eleftherios Venizelos”.

MEPJ njofton se mbetet në fuqi kufizimi i numrit të personave që hyjnë në ditë nga PKK të Kakavijës (750 vetë) dhe Kapshticës (300 vetë).

Po ashtu, mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokësore nga Shqipëria./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.