Vlorë/ Mjedise të sigurta në shkolla duke respektuar rregullat e distancimit fizik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, zhvilloi sot një takim online me drejtorët e shkollave, të të gjitha cikleve, në Vlorë.

Në bashkëpunim me drejtoreshën e Arsimit, Vlorë, Alma Bakiu si dhe drejtues të shkollave 9-vjeçare, përkatësisht të shkollave “Ibrahim Kushta”, “Marigo Posio”, “15 Tetori”, “Jani Minga”, “Avni Rustemi”, “Zenel Murro”, “Zigur Lelo”, u diskutua rreth gjendjes aktuale, nevojat e shkollave, masat mbrojtëse dhe gjithë udhëzimet e publikuara dje nga Ministria e Arsimit.

“Me virusin ende në qarkullim në shkallë botërore, shoqëria po përgatitet për një “realitet të ri”, në të cilin arsimi mund të jetë ndryshe nga sa kanë njohur nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komuniteti”, – tha Leli.

Kreu i bashkisë Vlorë u shpreh se “udhëzuesi dhe ne të gjithë, synojmë të ndikojmë në përgatitjen e shkollave që të jenë fleksibël në planifikimin dhe në organizimin e procesit mësimor, të gatshme për t’u ofruar nxënësve mjedise të sigurta duke respektuar rregullat e distancimit fizik dhe masat e tjera mbrojtëse, si dhe të afta për t’u përballur me pasojat e pandemisë COVID-19”.

“Që shkolla ta përmbushë këtë synim, nevojitet planifikim, angazhim i të gjithë aktorëve në sistemin arsimor dhe rishikim e ndryshim i planeve në varësi të ecurisë së pandemisë”, – tha Leli. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.