Takimi i posaçëm në Vjenë/ Rama: OSBE nuk po kërkon rolin e vjetëruar të ndërmjetësimit, thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë në këtë moment kritik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ “OSBE duhet të bëjë atë çka mundet për të ndihmuar Bjellorusinë dhe popullin bjellorus në këtë udhëkryq mjaft të rrezikshëm në historinë e tyre”, tha sot, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i OSBE-së.

Rama iu drejtua sot me një fjalë mbledhjes së posaçme të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për situatën në Bjellorusi.

“Sikur të mos kishte mjaftueshëm probleme në botë, ashtu siç është, pandemia na ka detyruar të gjithëve, të gjitha vendeve, gjithë popujve, të bëjmë ndryshime. Por jam kaq i kënaqur që ky takim po zhvillohet. Gjithmonë jam i lumtur të gjendem në Vjenë, dhe më lini ta them se këtë herë në një Vjenë me sa duket pa maska”, tha Rama.

“E kam thirrur këtë takim për të trajtuar një ngjarje tjetër madhore që janë ngjarjet në Bjellorusi”, shtoi ai.

Rama tha se “Bjellorusia është vetëm një vend, është një prej 56 vendeve tona pjesëmarrëse dhe të mos harrojmë asnjëherë një prej objektivave drejtuese, një prej premtimeve themelore për të cilat OSBE ekziston të përmbushë është siguria dhe bashkëpunimi për secilin prej nesh e mes nesh”.

“Pra të gjithë ne, nga Vladivostoku në Vankuver, nga skajet kufitare lindore e perëndimore të kësaj organizate të madhe të krijuar për t’u kujdesur për 1 miliard njerëz, duhet të kujdeset dhe duhet të bëjë atë çka mundet për të ndihmuar. OSBE duhet të bëjë atë çka mundet për të ndihmuar Bjellorusinë dhe popullin bjellorus në këtë udhëkryq mjaft të rrezikshëm në historinë e tyre”, tha Rama.

“Është e vështirë kur ndasitë janë qartësisht kaq të thella e dhuna kaq gati të shpërthejë që të kuptohet kjo e vërtetë kaq e thjeshtë, por që vendi të ecë përpara në mënyrën më të sigurt dhe të mbrojtur të mundshme do të duhet mirëkuptimi i ndërsjellë dhe bashkëpunim brenda Bjellorusisë”, shtoi ai.

Roli ynë, vijoi Rama, duhet të jetë që të ndihmojmë që kjo të ndodh. “Që në fillim dua të bëj tre gjëra të qarta. Së pari, sado të forta të jenë opinionet që kemi, nëse duam të luajmë këtë rol konstruktiv nuk na takon të ndërhyjmë në çështjet e brendshme midis autoriteteve të larta të Bjellorusisë dhe shoqërisë bjelloruse që ka dalë në rrugë”, tha ai.

Së dyti, Rama tha se “sado të forta të jenë ndjenjat që ne si individë apo shtete individuale mund të kemi ndërkohë që shohim të tilla skena, në qoftë se duam të luajmë këtë rol konstruktiv, nuk na takon ne të marrim anë”.

Së treti, Rama theksoi se “ne nuk po kërkojmë e as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetëruar të ndërmjetësimit midis dy palëve, thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë si një prej nesh në këtë moment mjaft kritik, siguri për secilin prej nesh e bashkëpunim me secilin prej nesh”.

“Shqetësimet lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe arsyet për to janë të qarta. Zgjedhjet nuk mundën të vëzhgoheshin nga zyra e OSBE-së për Institucionet Demorkatike dhe të Drejtat e Njeriut dhe kjo në vetvete ishte shqetësuese. E ato analiza që janë kryer për votimin kanë theksuar arsyet për këtë shqetësim. Më pas vijoi përgjigjja e qeverisë për protestat që pasuan, një përdorim shpërpjestimor i forcës, ndalime në masë, kufizim i lirisë së medias dhe i qasjes në informacion e komunikime”, tha Rama.

Rama tha se “monitorimi nga zyra e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e medias tregon që mbi qindra gazetarë janë arrestuar, janë dëbuar apo i janë nënshtruar dhunës dhe kjo është thellësisht alarmuese. Edhe më alarmuese, trishtuese ka qenë humbja e jetëve, plagosje të rënda dhe raportet e përhapura për persona të zhdukur. Tabloja është e shëmtuar për të thënë më të paktën.”

“Është një makth potencial për Bjellorusinë dhe popullin bjellorus, për të gjithë ata dhe dua ta them qartësisht pa asnjë dallim. Më lini të citoj një dokument  të OSBE-së për të cilin është rënë dakord në mënyrë konsensuale, këtu shumë kohë më parë. Angazhimet ndaj të drejtave të njeriut janë çështje e interesit të drejtpërdrejtë dhe legjitim të të gjitha shteteve anëtare e nuk u përkasin ekskluzivisht punëve të brendshme të shteteve të përfshira”, – theksoi Rama.

E qartë, vijoi Rama, të gjithë ne kemi një interes legjitim, të drejtën për t’u dëgjuar.

“Ne nuk mundemi, nuk duhet të rrimë mënjanë. Bjellorusia është këtu, është me ne si një mike, por miqtë duhet t’i kujtojnë njëri-tjetrit të vërtetat e rëndësishme dhe autoritetet në Minsk duhet ta dëgjojnë këtë. OSBE-ja është themeluar mbi parime që përfshijnë respektimin e plotë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Fuqia jonë mbështetet tek OSBE-ja si organizatë e të gjitha shteteve të mbështetura vendosmërisht  në respektimin e këtyre parimeve”, – shtoi Rama.

Rama u shpreh se “të gjithë jemi të angazhuar karshi tyre, gjithmonë duhet të jemi të angazhuar karshi tyre dhe nuk mund të ketë tërheqje prej tyre. Nuk duhet të ketë asnjë “në qoftë se” apo “por” lidhur me këtë, këto janë parime e duhen respektuar”.

“Bjellorusia nuk është vendi i parë që  arrin në këtë lloj momenti. Për fat të keq nuk ka të ngjarë të jetë i fundit. Kjo është arsyeja përse nisma që po propozoj sot, oferta që OSBE-ja të bëhet lehtësuese e dialogut të nevojshëm për të ndihmuar Bjellorusinë për të dalë nga ky makth shkon përtej Bjellorusisë sot për sot, – theksoi Rama.

Kryetari i OSBE-së, Kryeministri Rama u shpreh se “që ne të zhvillojmë brenda organizatës sonë këtë lloj mjeti për funksionin e lehtësimit në mënyrë që të jemi të gatshëm të luajmë një rol pozitiv kur gjërat ecin keq”.

“OSBE është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e  dialogut, për të ofruar hapësirën për reflektim dhe uljen e tensioneve, për të ofruar një process për këshillim të palës së tretë të qetë dhe pa tensione. Kemi mes nesh kaq shumë përvojë dhe ekspertizë, kaq shumë energji demokratike e kaq shumë angazhim demokratik të shteteve tona anëtare. Le ta përdorim këtë për të mirë”, – nënvizoi Rama.

Më tej Rama tha se “duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe forcave të radhitura kundër saj. Ne mund të luajmë një rol për ta ndihmuar këtë dialog. Sa më shpejt të nisë aq më mirë do të jetë për të gjithë, në Bjellorusi e në këtë organizatë gjithashtu. Për të parandaluar si përshkallëzimin e mëtejshëm , dhunën e mëtejshme. Për shkak se ne dimë sado keq të jenë gjërat sot, duhet të ketë pajtim. Do të vijë një moment  që duhet të shohim përpara e jo pas”.

Ne, vijoi Rama, mund të ndihmojmë për këtë, por nuk mund ta zgjidhim këtë. “Duhet zgjidhur në Minsk dhe midis popullit të Bjellorusisë në respektin e plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtave të tyre të njeriut.

“Në këtë moment shenjat nuk janë të mira aspak, nuk ka dëgjesë, nuk ka shkëmbim, nuk ka aspak dialog, nuk ka një mirëkuptim sesi të ndihmohet vendi që të tejkalojë këtë udhëkryq të rrezikshëm e të gjendet një rrugëzgjidhje për këtë”, – tha Rama.

Rama theksoi se “në cilësinë e kryetarit të  radhës së OSBE-së, së bashku me kryetaren e ardhshme të OSBE-së, miken e  dashur dhe kolegen e shquar, ministren e Jashtme suedeze Aba Lin mbetem i gatshëm për ta krijuar këtë mundësi dhe do të doja të jem në gjendje të ndihmoj shpejt, pasi koha vrapon më shpejt kur ngjarjet duket se janë jashtë kontrolli. Për të ndihmuar që të shkrihet akulli, që po shtohet midis palëve dita ditës për të ndihmuar që të nisë një proces dëgjimi mes të dyja palëve, për të ndihmuar në ndërtimin e një mirëkuptimi të ndërsjellë hap pas hapi për të mbështetur popullin e Bjellorusisë që të zgjedhë vetë dhe për vendin e vet sesi do të ecë përpara për të ndihmuar ato menjëherë tani në çdo moment që ata do duan ta shfrytëzojnë këtë ofertë tonën dhe në respekt të plotë”.

“Shpresojmë që do të ketë një përgjigje pozitive për këtë ofertë nga qeveria e Bjellorusisë, që pas zgjedhjeve shprehu angazhimin e saj për një dialog konstruktiv me homologët e huaj. Kjo është ajo që duam të ndodhë në Bjellorusi, dialog konstruktiv që mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës dhe të formësojë rrugën përpara”, – tha Rama.

“Ky nuk është imponim i OSBE-së mbi Bjellorusinë, është krejt e kundërta. Është OSBE që ofron vullnetarisht veten, ndikimin e saj, vullnetin e mirë për Bjellorusinë që ta përdorë këtë, si një anëtare aktive, sovrane dhe e barabartë e komunitetit tonë “, tha Rama.

Sipas tij, kjo ofertë vjen nga një organizatë, e cila krenohet se është gjithëpërfshirëse, që krijon një urë midis lindjes dhe perëndimit, që ka një mandat të konsoliduar, që merret me demokraci, të drejtat e njeriut dhe parandalimin e konfliktit dhe për një kohë të gjatë ka qenë e angazhuar ndaj një vizioni të një komuniteti sigurie gjithëpërfshirës, bashkëpunues e të pandarë.

“Besoj se këto së bashku e bëjnë OSBE-në të jetë në një pozitë unike për të ndihmuar Bjellorusinë, në një moment të vështirë e të rrezikshëm”, theksoi Rama.

“E di që disa kanë ngritur çështjen e marrëveshjes së shkurtit 2014 të Ukrahinës e ajo çka erdhi më pas”, u shpreh kreu i OSBE-së, Rama.

“E vërtetë, ajo çka erdhi më pas, nuk ishte ajo që u ra dakord mes gjithë pjesëmarrësve dhe tensionet e gjakrat u ndezën. Por le të jemi të kujdesshëm për të mos rinisur lojën e e fajit nga ajo kohë, për të mos qenë kaq pesimistë që për shkak të zhgënjimit që vijohet prej përpjekjeve të atëhershme, ne të rrimë mënjanë e të mos përpiqemi tani. Le të mësojmë të nxjerrim mësime nga dështimi e jo të mendojmë se gjithmonë do të hasemi me dështim”, deklaroi Rama.

Jam, vijoi fjalën Rama, mjaft i ndërgjegjshëm për detyrën për të qenë përfshirës, i balancuar e transparent si kryetar i radhës i OSBE-së.

“Më lini që ta shfrytëzoj këtë mundësi për të ngritur disa pika shtesë në rast se roli i OSBE-së pranohet.

“Kryesia shqiptare do t’i qaset kësaj përpjekjeje pa asnjë axhendë të paracaktuar politike. E përsëris është, apo u takon bjellorusëve të bien dakord për mënyrën se si do të ecë përpara Bjellorusia. Së dyti, kryesia do të punojë pa reshtur dhe me durim për të krijuar kushte të favorshme për një proces ndihmës. Ne do të sigurohemi që të mbetet kështu, gjatë të gjithë kohës duke shoqëruar miqtë tanë bjellorus në përpjekjen e tyre, pa u përpjekur të imponojmë asgjë mbi ta”, deklaroi Rama.

Së fundmi e në mënyrë thelbësore, theksoi Rama, kryesia beson se çdo marrëveshje e arritur e garanci e ofruar duhet respektuar nga të gjitha palët e i gjithë komuniteti.

“Pra, në qoftë se biem dakord, duhet ti përmbahemi asaj, në të kundërt, progresi i arritur do të zhbëhet e do të na duhet të luftojmë që ta rikuperojmë“, u shpreh kreu i OSBE-së.

“Duke patur parasysh atë që thashë për parimet tona, diçka duhet të jetë absolutisht e qartë e të gjithë duhet të biem dakord për këtë, që duhet të ketë një përmirësim të menjëhershëm e domethënës në situatën kombëtare të të drejtave të njeriut tani, jo dikur në të ardhmen, por tani dhe pa “në qoftë se” e pa “por” “, deklaroi Rama.

Sipas tij, është e pakonceptueshme që të ketë një proces të besueshëm dialogu, në qoftë se njëra prej palëve është e prirur të zhbëjë vet thelbin e shoqërisë pluraliste.

“Kur çela kryesinë shqiptare, në janar, rendita ndërtimin e stabilitetit përmes dialogut dhe zbatimin e angazhimeve tona së bashku, si dy prej objektivave tona kyçe për 2020-n. Duket se këto dy objektiva kanë një rëndësi të posaçme, tani, sot e sidomos për temën për të cilën po flasim. Lehtësimi i një dialogu të mirëfilltë nuk do të jetë një proces i lehtë, megjithatë është e vetmja mënyrë, përpara në çdo demokraci të qëndrueshme”, u shpreh kreu i OSBE-së.

Organizata jonë, tha Rama, mund ta bëjë të mundur këtë perspektivë pozitive.

“Jam i gatshëm që ta bëj të funksionojë, të angazhohem, të dëgjoj, kuptoj e mbështes në çdo mënyrë të mundshme që jam në gjendje të bëj. Dhe unë jam i gatshëm që ta bëj të funksionojë dhe të gjithë, ne jemi të gatshëm që ta bëjmë të funksionojë“, u shpreh ai.

Sot, tha Rama, iu bëj thirrje autoriteteve bjelloruse.

“Ju lutemi jepini një mundësi kësaj oferte, përfitoni nga ky moment mundësie, që Bjellorusia t’i largohet përballjes e të përpiqet për dialog e pajtim. Ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve të OSBE, le të përpiqemi ta bëjmë të funksionojë, edhe pse e dimë se sa e vështirë do të jetë. Jua detyrojmë, burrave, grave e fëmijëve të Bjellorusisë që zërat e tyre të dëgjohen, në mënyrë që përmes dialogut e jo përmes dhunës, ata të përcaktojnë të ardhmen e tyre”, deklaroi Rama.

/m.m/k.s/a.gjonaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.