Kufiri detar me Greqinë/ “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD”

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas qëndrimit të Partisë Demokratike lidhur me deklarimin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale.

“Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD!Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit”, tha Rama.

Më herët, PD deklaroi se “qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi çfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë”.

Pas replikës nga Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama u shpreh sërish në lidhje me marrveshjen me Greqinë për detin.

“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh,që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes!”, u shpreh Rama.

“Po ti mos bëj sikur nxehesh,se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK!”, tha Rama.

“Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, u shpreh Rama.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu përgjigj sërish kryeministrit Rama.

“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”, tha Basha.

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish ndaj Lulzim Bashës.

“Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s’ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s’është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata”, tha Rama.

/m.m/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.