Alibeaj: Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ -“Zëvendës drejtori sapo emëruar nga Edi Rama në krye të Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj rezulton të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në periudhën e diktaturës”, deklaroi sot ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Rasti i Dervishajt, është i dyti brenda pak ditësh që zbulohet si ish-sigurims dhe që militon në kupolën drejtuese të policisë së shtetit. Disa ditë më parë, organet e vettingut në polici, mbyllën sytë, shkelën ligjin dhe manipuluan faktet, sipas të cilave zevëndësdrejtori aktual i Policisë së Shtetit Gjovalin Loka, rezultoi zyrtarisht i dokumentuar si anëtar aktiv i Sigurimit të Shtetit dhe në shkelje flagrante të ligjit u konfirmua në detyrë”, theksoi Alibeaj.

“Policia e Shtetit nuk mund të jetë kurrsesi një organizatë e kontrolluar dhe e drejtuar nga bashkëpunëtorët dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit, në shërbim të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij kriminale. Albert Dervishajt duhet të shkarkohet menjëherë dhe qytetarëve ku duhet kërkuar ndjesë publike për këtë thyerje flagrante të ligjit”, tha Alibeaj.

“Me Partinë Demokratike, Policia e Shtetit do të kthehet në binarët e ligjshmërisë dhe të jetë në shërbim të sigurisë së jetës së qytetarëve shqiptarë”, nënvizoi Alibeaj.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.