SHBA – UNICEF: Mbi një e treta e nxënësve pa qasje në mësimin në distancë

NJU JORK, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Më shumë se një e treta e nxënësve në mbarë botën nuk patën mundësi qasjeje në mësimin në internet, kur pandemia e COVID-19 mbylli shkollat, tha sot Fondacioni për Fëmijët i OKB-së (UNICEF).

“Gati 1,5 miliardë fëmijë u prekën nga mbyllja e shkollave në kulmin e bllokimeve”, tha agjencia e OKB-së.

“Numri i madh i fëmijëve, arsimi i të cilëve u ndërpre plotësisht për muaj me radhë, është një urgjencë globale arsimore. Pasojat mund të ndihen në ekonomi dhe shoqëri për dekadat që vijnë”, tha kreu i UNICEF, Henrietta Fore.

Raporti shqyrtoi të dhënat nga 100 vende, në lidhje me disponueshmërinë e teknologjisë në shtëpi dhe mjetet e nevojshme për mësimin në internet, të tilla si qasja në televizion, radio dhe internet.

Sipas UNICEF, edhe kur fëmijët kanë mjetet në shtëpi, aftësia e tyre për t’i përdorur ato mund të pengohet nga mungesa e mbështetjes, një mjedis i dobët mësimi ose presioni për të bërë punë.

Agjencia u bëri thirrje qeverive që t’i rihapin në siguri shkollat ​​dhe të përfshijnë qasjen e zgjeruar në mësimin në distancë, si edhe mësimin kompensues për kohën e humbur mësimore, në planet e rihapjes së shkollës./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.