Rindërtimi në Fushë-Krujë/ 15 pallate banimi dhe 128 shtëpi individuale, ndryshohet rrënjësisht cilësia e jetës së banorëve


TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë-Krujë, në kantierin e lagjes së re, ku vazhdon papushim puna për ndërtimin e qindra banesave për familjet e mbetura pa shtëpi në natën tragjike të 26 nëntorit.

“15 pallate banimi me 100 apartamente, 128 shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbërta si edhe një treg modern për produktet e zonës, do të shtrihen në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në lagjen e re”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se ky projekt ka goxha hapësira. “Është spektakël se është i gjithi i ndërtuar nga zeroja. Është një park me shtëpi. Ndërkohë duhet bërë edhe projekti më vete për tregun, i cili duhet të jetë një treg super model, modern, me higjienë dhe të jetë një treg shembullor”, tha Rama.

Ndërkohë ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se “ka një të dhënë empirike sot nga tregu i punës dhe kompanitë që praktikisht janë gati 1300-1500 vende pune në valën e parë, ndërkohë që me hapjen e komplekseve urbane, pra pallateve faktikisht ky numër 4-fishohet”.

Duke u ndalur te rindërtimi në Fushë Krujë, Ahmetaj tha se “do të jetë proces shumë i thjesht për njësitë individuale për shkak se është i koordinuar me operatorin që bën infrastrukturën”.

“Kemi serinë e themeleve, shtresën e parë, që e hedh operatori i infrastrukturës dhe operatori që do të ndërtojë njësitë individuale që janë edhe komplekse këtu i ka të gatshme dhe bën vetëm platformat e betonit”, shtoi ai./m.m//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.