Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës/ Balluku: Më 21 shtator presim ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Gara për projektin e ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka hyrë në fazën finale.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se më datë 21 shtator presim ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin.

“Bisedova me Matteo Colangeli, Drejtorin e BERZH për Shqipërinë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka qenë partneri ynë që në nisje të këtij projekti”, informoi Balluku.

Sipas saj, certifikimi nga ekspertët e BERZH, i çdo hapi që kemi hedhur në këtë proces, është jo vetëm një vlerësim për punën e mirë të bërë deri më tani, por edhe një dëshmi e fortë për një proces transparent.

“Në fokusin e bisedës sonë pa dyshim ishin dhe hapat e mëtejshëm për projektet ambicioze në krijimin e një rrjeti modern hekurudhor”, theksoi ministrja.

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një nga projektet më strategjike dhe të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare. Segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës dhe lidhja me aeroportin e Rinasit është tashmë pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë.

Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde të BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) projekte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes. Projekti realizon me efektivitet të plotë multi-modalitetin e sistemit te transportit ne zonën metropolitane te DURRANA-s. Do të krijohet një sistem transporti i integruar, efikas e funksional ne rrjetin e infrastrukturës rrugore, Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës dhe Portit i Durrësit si porti më i madh në vend dhe nga më të rëndësishmit në Ballkanin Perëndimor.

Objektivat kryesore në drejtim të rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në Terminalin e Transportit Publik të Tiranës (PTT) për një gjatësi 34.2 km dhe gjithashtu për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit (gjatësi 5.7 km). Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një terminali te ri hekurudhor intermodal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.

/a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.