Korçë/ Policia në drejtimin e SPAK finalizon operacionin, në pranga 2 zyrtarë të Tatimeve

TIRANË, 27 gusht /ATSH – I. Vata/- Policia e Shtetit nën drejtimin e SPAK-ut ka finalizuar sot operacionin policor të koduar “Tatimi” gjatë të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë. S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

Operacioni u organizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut në kuadër të procedimit penal të referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, ka referuar materialet në Prokurorinë  e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në funksion të këtij procedimi nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes, u bë i mundur finalizimi i  operacionit policor të koduar “Tatimi”.

|Për shtetasit e ndaluar, Gjykata e Posaçme e Shkallës të Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorit të SPAK, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetasit e mësipërm.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive. Këta shtetas kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Nën drejtimin e SPAK, vijonë hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.