Agjencia Telegrafike Shqiptare

FRANCË – Castex: Mbajtja e maskës e detyrueshme në të gjithë Parisin

PARIS, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri francez, Jean Castex njoftoi sot se mbajtja e maskës do të bëhet e detyrueshme në të gjithë kryeqytetin, Paris, dhe do të mund të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit. 

“Prefekti, pas bisedimeve me kryetaren e Bashkisë, Anne Hidalgo, do të shtrijë mbajtjen e maskës në të gjithë kryeqytetin, një detyrim i kufizuar deri tani në disa lagje”, theksoi kryeministri duke shtuar se masa po studiohej.

“Padyshim lind pyetja për periferitë e brendshme, duke pasur parasysh qarkullimin mes këtyre territoreve”, shtoi ai në një konferencë shtypi kushtuar epidemisë së koronavirusit që ka fituar terren në territorin francez.

Në Marsejë, një qytet tjetër i madh që ndodhet në një departament “të kuq”, prefekti i rajonit Provence-Alpes-Côte-d’Azur njoftoi disa ditë më parë mbajtjen e detyrueshme të maskës në të gjithë qytetin dhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në orën 23:00 në të gjithë Bouches-du-Rhône.

Në Paris, ashtu dhe në Marsejë, numri i rasteve pozitive ka tejkaluar pragun prej 50 duke arritur në 100 000.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se mbajtja e maskës mund të përgjithësohet edhe në pjesë të tjera të 21 rajoneve të vendosura tashmë në zonë të kuqe./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version