Dezinfektimi në shkolla/ 200 objekte arsimore në Elbasan gati për nisjen e vitit të ri shkollor


TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ka nisur dezinfektimi në 200 shkollat, kopshtet e çerdhet e Bashkisë së Elbasanit.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se “në një periudhë jo të zakonshme të diktuar nga pandemia e COVID-19, godinat duhet të plotësojnë kushte shtesë sidomos përsa i përket higjienës dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve”.

Ai tha se “bashkia e Elbasanit, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit ka nisur dezinfektimet e objekteve arsimore, proces i cili do të jetë periodik”.

Po ashtu, Balla tha se “janë marrë masat për furnizimin e shkollave me dezinfektantë dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për higjienën në tualete”.

“Nga ana tjetër, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve, është duke kryer një inspektim të hollësishëm të në gjitha shkollat përsa i përket furnizimit me ujë të rrjedhshëm”, shtoi ai.

Balla tha se “për t’i ardhur në ndihmë Zyrës Arsimore Rajonale, Bashkia e Elbasanit ka vënë në dispozicion edhe mjediset e saj si: Teatri Skampa, Pallatit i Sportit, Qendra Rinore etj në rast se shkollat do të kenë nevojë për ambiente, nisur nga fakti që duhet të ruhet domosdoshmërisht distanca mes nxënësve”.

“Duam t’i garantojmë prindërit se do ta ndjekim në çdo moment situatën në shkolla me parimin kryesor të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve dhe stafeve mësimore”, tha Balla. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.