COVID-19/ 75% e bizneseve përdorën shërbime online

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 ndërgjegjësoi bizneset mbi efikasitetin e shërbimeve online.

Sipas Anketës së Këshillit të Investimeve, 75% e kompanive kanë përdorur shërbime online gjatë periudhës mars-maj 2020, ndërkohë 38% e tyre pohuan mundësinë e ndryshimit të planeve të tyre të ardhshme të investimit drejt ofrimit të shërbimeve online, kryesisht investime në teknologji të reja.

Revolucioni digjital i ndërmarrë nga qeveria u mundësoi qytetarëve marrjen e shërbimeve publike online, përmes një kliku të vetëm në e-Albania dhe rriti pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje përmes platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”.

Qeverisja dixhitale është një tregues shumë i rëndësishëm i mirëqenies së një vendi. Kjo sepse qytetarët i marrin në mënyrë automatike shërbimet online duke ulur kontaktet fizike me zyrtarët çka çon në uljen e korrupsionit por edhe duke u kursyer shumë kohë.

Nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është shteti më i vlerësuar për qeverisjen dixhitale.

Këtë vlerësim e ka bërë organizata për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim në raportin e këtij viti. Vendi ynë ka lënë pas edhe shtete të cilat kanë hapur negociatat për Bashkimin Europian. Pas Shqipërisë renditet Serbia e cila plotëson 6 nga shtatë treguesit e më pas Maqedonia e veriut me 5 tregues të plotësuar.

Pas OECD një tjetër raport i OKB-së i publikuar së fundmi e rendit Shqipërinë në të njëjtin nivel me Kanadanë për efektivitetin e shërbimeve publike online.

Si asnjëherë tjetër, vendi ynë është ngjitur në klasifikim në nivel botëror duke kaluar edhe vende anëtare të BE.

Ngjitja në këtë klasifikim është arritur përmes 2 treguesve: e-shërbimet dhe e-pjesëmarrja.

Konkretisht për e-shërbimet: Kemi qenë në vendin e 62-të në vitin 2018, dhe jemi në vendin e 31-të në vitin 2020. Pra, 31 vende ngjitje në klasifikim në vetëm dy vite dhe jemi me pikë të barabarta me Kanadanë ndërsa lemë pas shtete si Italia, Zvicra, Greqia etj.

E-pjesëmarrja: Kemi qenë në vendin e 61-të në vitin 2018 dhe jemi në vendin e 36-të në vitin 2020, pra plot 25 vende ngjitje në klasifikim.

Edhe këtu lemë pas Zvicrën, Italinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.