Zgjedhjet e 30 gushtit/ Basha thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Votoni listat shqiptare

TIRANË, 25 gusht /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu bëri thirrje shqiptarëve në Mal të Zi të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë partitë shqiptare.

Në mesazhin e ti, Basha shprehet se “ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet  parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare”.

“Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj”, tha ai.

Po ashtu Basha shton se “ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi”.

“Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”, tha ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.