Shënohet 110-vjetori i lindjes së Shën Terezës, nënës së çdo të vuajturi

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ -Sot shënohet 110-vjetori i lindjes së Shenjtores Nënë Tereza.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke përkujtuar këtë ditë thekson se, “si sot, 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, simboli shqiptar e botëror i humanizmit e solidaritetit njerëzor, e cila me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së saj hyri në zemrat dhe fitoi respektin e miliona njerëzve në mbarë botën, duke i dhënë nder e krenari kombit shqiptar në kohën më të vështirë”.

“Vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve, për të bërë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, si dhe për t’u angazhuar fuqimisht e të gjithë bashkë për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për punësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe frenuar dramën e madhe të shpopullimit”, nënvizon ai.

“Me porositë dhe urtësinë e Shën Terezës të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shprehet ai.

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha citoi me këtë rast shprehjen: “E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kështu që ka mbetur vetëm e sotmja. Le të fillojmë”.

“Ky mesazh i mençur nga Nënë Tereza, le të jetë frymëzim për të gjithë ne, të fillojmë të ndyshojmë të sotmen duke ofruar shpresë dhe besim se ditë më të mira do vijnë përmes punës së ndershme, kujdesit për njeri-tjetrin dhe ofrimit të mundësive për një jetë më të mirë për të rinjtë e të rejat, që sot i kanë sytë nga emigrimi”, u shpreh Basha.

“Me fjalët e Shën Terezës: “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim, disa të tjerë vijnë si mësim”, është koha ta nxëmë mësimin e hidhur në mënyrë që të mos lejojmë sërish rikthimin në paketimet false që verbojnë nga varaku fals, por që në thelb janë thjesht mashtrime prej të cilave vuajnë sot shqiptarët”, tha ai.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka kujtuar këtë ditë duke shpërndarë një poezi të Nënë Terezës.

“Para trupit të saj të imët janë përulur burra shteti. Ajo kishte një forcë të jashtëzakonshme, dashurinë, që e shndërroi në nënën e çdo të vuajturi e të dobëti”, është shprehur Margariti.

“Nënë Tereza shndrin sot me breroren e shenjtores, duke shpërndarë mbi ne hir, paqe e dhembshuri. Në këtë 110-vjetor të lindjes së saj, nuk mund të mos jemi krenarë që jemi një gjak me Nënë Terezën!”, ka theksuar ajo, duke shpërndarë poezinë “Gjej kohë” të Nënë Terezës

Gjej kohë (poezi nga Nënë Tereza)

Gjej kohë të mendosh

Gjej kohë të lutesh

Gjej kohë të qeshesh

Është burimi i fuqisë

Është fuqia më e madhe mbi tokë

Është muzika e shpirtit.

Gjej kohë për të luajtur

Gjej kohë të duash dhe të duhesh

Gjej kohë të japësh

Është sekreti i rinisë së përjetshme

Është privilegj i dhënë prej Zotit

Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.

Gjej kohë të lexosh

Gjej kohë të jesh mik

Gjej kohë të punosh

Është burim mençurie

Është rruga e lumturisë

Është çmimi i suksesit.

Gjej kohë të bësh mirësi

Është çelësi i parajsës.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.