Pranimet e reja në Akademinë e Sigurisë, Lleshaj: Shifra të krahasueshme vetëm me veten

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ – “Shtimi i pranimeve të reja dhe modernizimi i arsimimit në Akademinë e Sigurisë janë prioritete madhore të Ministrisë së Brendshme”, deklaroi sot Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ai theksoi se, shifrat e pranimeve të reja përgjatë këtyre viteve mund të krahasohen vetëm me veten”.

“Të diplomuarit e fundit në AS, që i janë bashkuar Policisë së Shtetit vijojnë provimin e rëndësishëm përballë qytetarëve, të cilët kanë pritshmëri të larta, për ta bërë Shqipërinë shumë më të sigurt sesa deri dje”, u shpreh Lleshaj.

Ndërkohë, shtoi ai “në AS vazhdon puna intensive për binjakëzimin e Akademisë me institucionet homologe në BE, për të përfituar nga praktikat më të mira të partnerëve”.

Në vitin 2020 janë pranuar 653 punonjës policie në Akademinë e Sigurisë. Ndërsa në vitin 2019 ishin pranuar 251 punonjës policie. Teksa në vitin 2013 nuk është pranuar asnjë punonjës policie në këtë Akademi.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.