COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 102 të shëruar, 168 raste dhe 4 humbje jete në 24 orët e fundit

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 878 testime për COVID-19 prej të cilave 168 persona janë konfirmuar pozitivë.

Dr. Gentiana Qirjako, nga Instituti i Shëndetit Publik informoi sot për situatën epidemiologjike të COVID-19 në vendin tonë.

Sipas saj, “102 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4633 që nga fillimi i epidemisë”.

“Nga totali i testimeve, 168 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 76 raste në Tiranë, 15 raste në Lezhë, 13 raste në Krujë, 7 raste në Korçë, 6 raste në Kavajë, 5 raste në Shkodër, Durrës, Kurbin, Lushnje, 4 raste në Fier, Elbasan, Berat, Gjirokastër, 2 raste në Vlorë, Kamëz, Selenicë, Klos dhe nga 1 rast në Devoll, Mirditë, Librazhd, Mat, Pogradec, Malësi e Madhe, Kolonjë”, tha ajo.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 164 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

“Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID19, në dy spitalet COVID po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse”, informoi Qirjako.

Ajo tha se “pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 55-vjeçare nga Tirana, një 62-vjeçar nga Lezha, një 63-vjeçar nga Librazhdi, një 85-vjeçar nga Elbasani, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Nisur nga situata epidemiologjike e përhapjes së infeksionit SARS-COV2 në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të respektojë në përditshmëri masat për frenimin e përhapjes së virusit.

“Vendosni detyrimisht maskën apo barrierë mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances. Kujdesuni për higjenën vetjake. Ruani distancën mbi 1.5 metër në ambientet publike. Shmangin grumbullimet masive, ceremonitë e çdo lloji, pasi janë burim i përhapjes së infeksionit. Bizneset dhe institucionet publike të zbatojnë më përpikmëri protokollet e sigurisë të miratuara nga autoritetet shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton qytetarëve se, nëse dyshojnë se janë të prekur ose kanë shenja të sëmundjes, duhet të qëndrojnë të izoluar, të kontaktojnë menjëherë mjekun e familjes ose të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.

Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar për çdo informacion tjetër rreth COVID19.

COVID-19 – Statistika (26 Gusht 2020)
Testime totale 58752
Raste pozitive 8927
Raste të shëruara 4633
Raste Aktive 4031
Humbje jete 263 (Qarku Tiranë 124, Durrës 37, Shkodër 35, Elbasan 13, Fier 12, Korçë 12, Lezhë 10, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 4, Gjirokastër 3, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2037
Durrës 518
Shkodër 298
Fier 173
Lezhë 190
Korçë 201
Vlorë 143
Kukës 139
Elbasan 149
Berat 80
Gjirokastër 50
Dibër 53

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.