BOGOTA, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Ministria kolumbiane e Shëndetësisë publikoi sot udhëzime për qytetarët, ndërsa vendi po përgatitet të heqë gati të gjitha kufizimet mbarëkombëtare pas një prej bllokimeve më të gjata në Amerikën Latine.
Kolumbia ka qenë nën izolim që nga fundi i marsit, megjithëse qeveria e presidentit Ivan Duque e ka riaktivizuar gradualisht ekonominë, duke publikuar me dhjetëra përjashtime për bllokimin.
“Shumica e kufizimeve të lëvizjes dhe veprimtarisë ekonomike do të hiqen nga 1 shtatori, por tubimet e mbi 50 personave, përfshirë koncertet, ngjarjet sportive dhe diskotekat, do të mbeten të ndaluara”, njoftuan autoritetet.
Personat që dyshohet se janë infektuar me koronavirus pritet të shkojnë në izolim.
Heqja e karantinës do t’i lejojë kolumbianët të lëvizin lirshëm në rrugë, të marrin autobusë për në qytete të tjera, të hanë në restorante, të qëndrojnë në hotele dhe të shkojnë në kishë.
Aeroporti i Bogota El Dorado planifikon të ketë fluturime në 14 destinacione kombëtare./ /ervo/
