Ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve/ Vijojnë konsultimet për një vit të ri shkollor sa më të sigurtë

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini thotë se qëllimi kryesor për këtë vit të ri shkollor është ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve gjatë procesit mësimor në shkollë.

Për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme dhe marrë masat e nevojshme në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Shahini thotë se po vijojnë konsultimet me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, sindikatat e arsimit dhe organizata të ndryshme, me qëllim krijimin e kushteve sa më të sigurta në ambientet e shkollës.

Masat e ndërmarra deri më tani nga MASR, mënyra e zhvillimit të mësimit, detajimi final i udhëzuesit për vitin e ri shkollor, ishin disa prej temave të trajtuara në këtë konsultim mes përfaqësuesve të MASR dhe palëve të tjera.

Të pranishëm në këto konsultime kanë qenë zvministrja e Arsimit, Nina Guga si dhe drejtorët Zamira Abazi Gjini, Sëlman Hodaj dhe Gert Janaqi.

‘Qëllimi kryesor për vitin e ri shkollor, është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollë. Zëvendësministrja,Nina Guga, drejtorët Zamira Abazi Gjini, Selman Hodaj dhe Gerti Janaqi, vijuan konsultimet me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, sindikatat e arsimit dhe organizata të ndryshme – me qëllim krijimin e kushteve sa më të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor;, ka informuar ndër të tjera Shahini.

Udhëzuesi që do të shërbejë për nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe kopshteve si dhe për prindërit në kushtet e situatës së pandemisë u miratua nga Komiteti i Ekspertëve më 23 gusht. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.