GREQI – Berlini mision ndërmjetësimi për qetësimin e tensioneve greko-turke

ATHINË, 25 gusht /ATSH-AFP/ – Gjermania ndërmori sot në Athinë dhe më pas në Ankara një mision ndërmjetësimi mes Greqisë dhe Turqisë, në të njëjtën ditë me manovrat ushtarake rivale në Mesdheun Lindor, në përpjekje për të kapërcyer tensionet mes dy vendeve fqinje në kërkim të hidrokarbureve.

“Dritaret e dialogut mes Greqisë dhe Turqisë tashmë duhet të jenë të hapura dhe jo të mbyllura”, deklaroi sot kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas, pak para nisjes për në Athinë, ku ai shkon për herë të dytë në një muaj.

“Në vend të provokimeve të reja, ne kemi nevojë për masa vetëpërmbajtjeje dhe të fillojmë diskutimet e drejtpërdrejta”, shtoi ministri gjerman, ndërkohë që demostrimet e forcës nga Ankaraja janë rritur në një zonë të diskutueshme e pasur me hidrokarbure.

Gjermania, vendi i të cilit siguron presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, i trembet një përshkallëzimi tjetër mes Turqisë dhe Greqisë, të dyja anëtare të NATO-s.

“Ajo beson se kjo mund të dëmtojë të gjithë, kryesisht personat e përfshirë drejt për drejt në vend”, sipas Maas./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.