Agjencia Telegrafike Shqiptare

FSHF/ Zyra Rajonale Durrës, fokus te rritja e numrit të vajzave në sezonin e ardhshëm

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ -Zyra Rajonale Durrës numëron 116 ekipe për këtë sezon dhe 1423 fëmijë të cilën janë aktivë në fushat e futbollit.

Pavarësisht se një sërë aktivitetesh u pezulluan për shkak të pandemisë, përgjegjësi i kësaj zyre, Arbër Kalemi, në intervistën për fshf.org thotë se është i kënaqur këtë sezon me fitimin e titullit për grupmoshën U-14 në kampionatin e përfaqësuesve rajonale dhe shprehet se objektiv i sezonit të ardhshëm është rritja e numrit të vajzave që luajnë futboll.

“Tërmeti i 26 nëntorit ishte fatal për qytetin tonë dhe për disa kohë, nuk patëm mundësi të zhvillonim stërvitje dhe ndeshje ashtu sikurse zyrat e tjera. Më pas pandemia botërore e COVID-19 na detyroi të pezullonim një sërë aktivitetesh të cilat i kishim planifikuar, por arritëm të mbyllnim disa prej tyre. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, ne arritëm ta përfundonim kampionatin në fushë. Qëllimi i zhvillimit të këtij kampionati është padyshim evidentimi i futbollistëve të rinj”, shprehet Kalemi.

Ai thekson se, “mungesa e terreneve sportive është një nga problemet kryesore që kemi si qark dhe këtu flasim për terrene cilësore, ku këta fëmijë dhe të rinj që presupozohen të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar, nuk i kryejnë seancat stërvitore siç duhet”.

Ai shton se, “këtë edicion patëm një rritje të numrit të ekipeve si dhe të numrit të fëmijëve. Zyra Rajonale e Durrësit numëron për këtë vit 116 ekipe dhe 1423 fëmijë aktivë në futboll. Nga ana tjetër, në kampionatin e përfaqësuesve rajonale, Durrësi u shpall kampion për grupmoshën 14, duke mundur Tiranën me penallti. Jemi të kënaqur, pasi në këtë kampionat i arritëm të treja finalet, si për grupmoshën 14 në të cilën u shpallëm kampionë, edhe për grupmoshat 13 dhe 15”.

Sa i përket risive për edicionin e ardhshëm, Kalemi nënvizon se, “së pari, synojmë të rrisim numrin e futbollistëve dhe kryesisht atyre vajza. Duke rritur numrin e futbollistëve, automatikisht do të synojmë edhe rritjen e numrit të ekipeve. Këtë vit kemi 116 ekipe, prej të cilave, 7 janë ekipe vajzash. Duke pasur parasysh edhe prioritetin e FSHF, që është zhvillimi i futbollit të femrave, synojmë që edicionin e ardhshëm ta dyfishojmë këtë numër. Futbolli 5×5 gjithashtu mbetet ndër objektivat tonë kryesorë”.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version