Futbolli i femrave/ Megi Doçi fiton Këpucën e Artë për sezonin 2019-2020

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ – Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua sot në ceremonia e dorëzimit të Këpucës së Artë për futbollin e femrave të sezonit 2019-2020.

Në këtë ceremoni ku është vlerësuar Megi Doçi për 88 golat e shënuar me fanellën e Vllaznisë, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, theksoi se futbolli i femrave ka qenë gjithmonë një prioritet i madh për Federatën dhe po investohet gjithmonë e më shumë për të arritur nivele edhe më të larta.

E emocionuar, sulmuesja e Vllanzisë dhe ekipit kombëtar falënderoi Federatën dhe Presidentin Duka për vëmëndjen e treguar ndaj futbollit të femrave.

“Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e gëzuar për vetë faktin se kam punuar shumë në mënyrë individuale por edhe me ekipin. Merita është e shoqeve të skuadrës të cilat duhet ti falenderoj shumë, por edhe stafin teknik të Vllanzisë për mbështetjen që më kanë dhënë. Në skuadër bëhet një punë e madhe për të arritur që unë të shënoj”, tha ajo.

Për pjesëmarrjen në Champions League ajo tha se, “Skuadra është në rindërtim e sipër sepse drejtuesit po punojnë për të gjetur lojtare që të përforcojnë ekipin për mungesat që kemi evidentuar. Mendoj se është duke u bërë një punë shumë e mirë sepse ekipi brenda dy ditësh do të grumbullohet në Shkodër për fazën përgatitore. Do të presim shortin dhe do të shohim. Objektivat e mi për të ardhmen janë të mëdha, duke ditur që unë kam arritur të fitoj gjithçka në Shqipëri, kupa, kampionate, Topin e Artë dhe titullin e golashënueses më të mirë. Do të punoj shumë për të arritur përsëri këto suksese por diçka konkrete në mëndjen time përveç punës nuk ka”, përfundoi Doçi.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.